TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar nisjen e punës për Unazën e Re të Tiranës, ka premtuar se do të jetë ai që do të ndërtojë Tiranën e shekullit dhe i ka bere apel Rames t'u kerkoje falje qytetareve per skandalin me trafikun, dy dite me pare.
Premtimi i radhës, që duket i lidhur me fushatën elektorale vendore është bërë në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku Berisha ka vijuar sulmet ndaj bashkisë së Tiranës dhe kreut të saj Edi Rama.
"Zoti Rama u deklaroi shqiptarëve se është qeveria ajo që ka djegur kredinë për Unazën. Ky është mashtrim, ne kemi dokumentet që kjo nuk është e vërtetë dhe do e tregojmë. Ne kërkojmë grup të përbashkët pune pasi një segment i unazës shtrihej në territorin e qytetit dhe tjetri në komunën e Farkës, jashtë autoritetit të kryetarit të bashkisë së Tiranës"- tha Berisha, duke urdhëruar ministrin e Transporteve të fillojë ndërtimi dhe afati të jetë sa më i shkurtër.
Sipas tij, ky është vetëm fillimi. "U deklaroj qytetarëve se ky është vetëm fillimi i një serie projektesh që së bashku me Parlamentin, me Bibliotekën Kombëtare, Operan e të tjera do të ndërtoj Tiranën e këtij shekulli"- tha ai.
Berisha ka bere me faj bashkine dhe kreun e saj, Rama per trafikun. Sipas tij, ajo qe ndodhi ishte nje akt banditesk dhe pergjegjesit duhet te vihen para ligjit. "Nuk ka asnje faj qeveria dhe Sali Berisha se ai ne 12 vjet nuk beri asnje rruge dhe asgje per kryeqytetin. Rama t'u kerkoje falje qytetareve"- tha ai.
_____
Pislleku politik bllokon mijera qytetare
Qytetarët e Tiranës kanë nisur të vuajnë pasojën e një fushate të parakohshme elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar ende zyrtarisht se do të kandidojë për kreun e bashkisë, Edi Rama dhe Lulzim Basha janë përfshirë dje në një beteje të ashpër mediatike dhe verbale. Por, ata që e kanë pësuar ishin kryeqytetasit, të cilët për më shumë se pesë orë janë bllokuar në kaosin e tmerrshëm që zyrtarisht quhet "trafik rrugor".
Zakonisht, në ditë shiu Tirana përjeton një trafik të rënduar, por dje në ndihmë të tij u gjend mungesa e policëve në kryqëzime dhe fikja e semaforëve. Në këtë pikë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, akuzon ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin që, sipas tij, kanë orkestruar këtë shfaqje.
Vetë kryebashkiaku, i cili ka përshkruar bulevardin "Dëshmorët e Kombit" gjatë kohës së bllokimit të rrugës, është shprehur se ky veprim i përgatitur nga qeveria ka për qëllim të egërsojë qytetarët ndaj Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Rama nënvizoi gjithashtu faktin se përgjatë kryqëzimeve nuk kishte policë trafiku. Nga ana tjetër, edhe kryeministri Berisha ka shkuar rreth 20 minuta me vonesë në një takim që kishte në qendër të kryeqytetit. As eskorta e as sirenat e policisë nuk e kanë ndihmuar Berishën që të mbërrijë në kohë në konferencën "Reformat kundër korrupsionit".
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili nuk ngurroi të fajësojë kryebashkiakun Rama si përgjegjës për situatën e krijuar në Tiranë. Sipas tij, policia ka pasur një mobilizim total, rreth 700 forca për të menaxhuar situatën. Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherësh lideri i Partisë Socialiste, ka tjeter mendim "Unë këtu akuzoj drejtpërdrejtë për një orkestrim kriminal Ministrinë e Brendshme, pasi gjëja që qytetarët që janë gjendur sot në rrugë, siç u gjenda dhe unë dhe pata 45 min vonesë për të lëvizur nga fillimi i bulevardit në fund, kanë parë se pothuajse nuk ka pasur policë fare", - deklaroi Rama. Sipas tij, ky është "qëllim i vjetër i stërnjohur dhe i stërshfaqur në stërforma të tilla".
"Eshtë e pashembullt, është barbare, është primitive, është vulgare, është kriminale që në mes të Europës në një kryeqytet Europian të ndodhë një gjë e tillë në mënyrë të qëllimshme - tha Kryebashkiaku i Tiranës.
"Është Ministria e Brendshme, është ministri i Brendshëm, sigurisht me kryeministrin që kanë orkestruar të gjithë këtë shfaqje të pashembullt të mungesës së minimumit etik. Të mungesës së çdo sensi europianizimi dhe demokratizimi, të mungesës së minimumit të çdo qytetarie duke lënë rrugëve të bllokuar me dhjetëra-mijëra qytetarë, vetëm e vetëm që t'i egërsojnë dhe agresivizojnë ndaj Bashkisë së Tiranës", - akuzoi Edi Rama.
Por ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka fajësuar Bashkinë për kaosin e shkaktuar dje pasdite në rrugët e Tiranës/
"Jemi dëshmitarë të gjithë këtu në këtë qytet se ky kaos është një variant i rënduar i kaosit të përditshëm në Tiranë. Qytetarët e Tiranës kanë kohë që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të qytetit dhe të trafikut rrugor në qytet. Ky është çmimi që qytetarët e Tiranës paguajnë prej arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së Edi Ramës", - sulmoi Lulzim Basha.
Sipas tij, shkaqet e kaosit janë të qarta për këdo. Ai fajëson për këtë hapjen e punimeve pa siguruar alternativë trafiku, bllokimin e qendrës, mungesën e sinjalistikës, lënien pas dore për vite me radhë e infrastrukturës së nëndheshme, e shumë, e shumë të tjera. Ndërsa numëronte një mori akuzash për bllokimin e trafikut rrugor, drejtuesi i këtij institucioni shënjestron Edi Ramën. "Policia ka pasur një mobilizim total. Përveç mobilizimit të 300 deri 350 efektivave të pesë komisariateve të Tiranës, janë mobilizuar 100 forca të ndërhyrjes së shpejtë, 200 forca të njësisë së policisë rrugore dhe 35 forca të njësisë së autostradave, pra afro 700 forca për të menaxhuar situatën", - sqaron Basha.
Rama
"Policia e shtetit dhe përkatësisht pjesa që merret me trafikun është gjithsesi një trup e specializuar, është gjithsesi një trup e sakrifikuar, e cila realisht është në gjendje të përballojë detyrat e saj edhe pse në njëmijë e një vështirësi dhe e lënë krejt pas dore dhe kurrë nuk mund të ndodhte një bllokim i tillë dhe s'kishte asnjë arsye të ndodhte, sepse asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi. E përsëris, ka orë të tëra që edhe furia e shiut ka kaluar edhe rrugët janë normalizuar dhe bllokimi vazhdon", - deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
Basha
"Shkaqet e kaosit janë të qarta për këdo. Hapja e punimeve pa siguruar alternativë trafiku, bllokimi i qendrës, mungesa e sinjalistikës, lënia pas dore për vite me radhë e infrastrukturës së nëndheshme etj. Përpjekja e Ramës për t'ia veshur policisë fajin është shenjë paniku e një të paafti që u ikën përgjegjësive të veta, duke kërkuar fajtorë për një përgjegjësi që është kryekëput e vetja dhe për një faj që është vetëm i tij. I bëj thirrje të rikthehet në detyrë, të mos tallet me qytetarët dhe të mbajë përgjegjësitë që ka me ligj", - akuzoi Basha.
Paralizohen krejtësisht akset kryesore të kryeqytetit. "Zhduken" semaforët dhe Policia Rrugore
Orë ferri në rrugët e Tiranës
TIRANË - Kaos në kryeqytet. Kështu mund të përkufizohet situata e pasdites së djeshme në rrugët e Tiranës. Për më shumë se pesë orë, të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit ishin të bllokuara nga mijëra makina.
Ndonëse kemi parë që gjatë kohërave me shi të ketë trafik të rënduar, panorama e djeshme e rrugëve të kryeqytetit ishte si asnjëherë më parë. Makinat në rrugë thuajse nuk lëviznin fare, madje shumica e tyre fiken automjetet për të shkurtuar shpenzimet e karburantit.
Në shumicën e kryqëzimeve semaforët nuk ishin në gjendje pune dhe në kryqëzime dhe në rrugët e bllokuara, nuk kishte punonjës të Policisë Rrugore. Duhet theksuar se binte shi i rrembyeshem, shoqeruar me vetetima te forta.
Krahas bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe zonës së qendrës, problematike kanë qenë edhe kryqëzimi te "Zogu i Zi" dhe "Don Bosko", segmente të tëra të unazës, rruga e "Barrikadave", bulevardi "Zogu i Parë", kryqëzimi i "21 Dhjetorit", kryqëzimi i rrugës së "Elbasanit" dhe pjesa e rrugës pranë shkollës "Vasil Shanto". Mungesa e rrugëve që devijojnë kalimin në qendrën e kryeqytetit për automjete që do të dalin jashtë Tirane është një tjetër arsye pse rëndohet trafiku, sidomos në qendër të qytetit.
Ndërsa mendohej se me pushimin e shiut të vrullshëm do të mundej që situata t'i kthehej normalitetit, kjo nuk ndodhi. Mungesa e sinjalistikës së nevojshme apo orientimit të automjeteve, të cilat i drejtoheshin daljes së kryeqytetit apo hynin në të, ka sjellë vijimin e bllokimit të rrugëve. Por rreth 30 minuta pas deklaratave të Ramës dhe Bashës, situata u kthye në normalitet.
Nessun commento:
Posta un commento