giovedì 25 novembre 2010

Grupi parlamentar i PS-së vendos sot për mocionin ndaj kryetares së Kuvendit

Grupi parlamentar Socialist do të vendosë sot per mocionin e mosbesimit ndaj kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli. Ne mbledhjen e grupit, qe eshte njoftuar te mbahet sot do te mblidhen firmat, dormulohet mocioni e me pas pritet dorezimi i kerkeses ne Kuvend.
Vetem disa dite me pare, burime prane PS bene me dije se pika kryesore që do të synojë PS-ja do të jetë zhvillimi i një votimi të fshehtë, në mënyrë që deputetët të mos kenë frikë për votën e tyre.
Ideja për një mocion mosbesimi qarkullon prej kohësh në ambientet e selisë rozë.

Grupe të ndryshëm deputetësh, gjatë diskutimeve që kanë pasur me kryesocialistin i kanë kërkuar atij që të ndërmarrin një nismë ligjore në Kuvend për shkarkimin e kryeparlamentares dhe kryeministrit. Ka pasur edhe nga ata deputetë, të cilët kanë shprehur mendimin se një nismë e tillë do të sillte dhe përballjen e forcave reale në Kuvendin e Shqipërisë, pasi do të pasqyronte se si janë numrat në parlament. Përllogaritja e numrave nuk qëndron tek ata, të cilët, tashmë, dihen, por tek të lëkundur në kampin e mazhorancës, të cilët do të mund të shprehin me anë të votës pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si menaxhohet parlamenti dhe ekzekutivi.

Për të bërë të mundur këtë gjë, grupit parlamentar Socialist do të këmbëngulë në zhvillimin e mocionit të mosbesimit me votim të fshehtë dhe jo me votim elektronik. Burime nga selia rozë shprehin sigurinë se nëse do të mund të realizohet një votim i fshehtë për mocionin e mosbesimit ndaj Topallit, atëherë kjo e fundit do të rrëzohet nga funksioni i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë. Socialistët do të kërkojnë zbatimin e nenit 60 të rregullores së Kuvendit, pika 1, ku thuhet se votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat. "Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj Rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim të fshehtë duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike", - thuhet në pikën dy të nenit 60.

Partia Socialiste është shprehur e vendosur për organizimin e këtij mocioni mosbesimi. Madje, në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare, kryesocialisti Rama duke iu referuar progres raportit për Shqipërinë tha se do të vendosin për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me këtë dështim të madh në rrugën e integrimit, dhe le të shikojmë mundësinë e nismës së mosbesimit të kryetares si një pengesë e identifikuar deri nga vetë Komisioni Europian për arritjen e standardeve europiane në jetën parlamentare të vendit. Të gjitha pakënaqësitë e opozitës për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që siç janë bërë të ditura fillojnë tek problemet me pagat dhe deri tek mënyra e drejtimit, do t'i shtohen arsyetimit të kërkesës së deputetëve për mocionin e mosbesimit.


Nessun commento:

Posta un commento