Para pak kohësh, gazetari Elez Biberaj iu bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mos e anashkalojnë Shqipërinë.
Ai i referohej vizitave të tre zyrtarëve të lartë amerikanë në Ballkan, zv.presidentit Xhozef Bajden, Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton dhe zëvendësit të saj, Xhejms Stajnberg, të cilët anashkaluan Tiranën. Një zyrtar i një rangu më të ulët, Tom Kauntrimen ishte në Shqipëri kalimthi para disa javësh.
Është e qartë se pas dështimit me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, që sipas ambasadores britanike është vendimi më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, qeveria e Tiranës ka nevojë dëshpërimisht për një vizitë të rangut të lartë.
Por e keqja është se tashmë askush nuk do ta vizitojë Shqipërinë pa e trajtuar këtë qeveri si pazarxhie të rëndomtë.
Të gjitha vizitat e rangut të lartë të shtetarëve europianë në Tiranë dhe marrëveshjet e nënshkruara kanë përfunduar ose në duart e drejtësisë shqiptare, ose kanë nxitur revolta. Kështu, Karamanlis erdhi në Tiranë e nënshkroi një marrëveshje për ndarjen e ujërave, e cila u shpall nga Gjykata Kushtetuese si anti-ligjore.
Berluskoni erdhi për të nënshkruar disa marrëveshje në fushën e energjetikës, që kanë nxitur revolta popullore në Durrës e në Vlorë.
Erdogan erdhi për të inauguruar një investim të një kompanie turke, që ka përfunduar gjithashtu në prokurori për abuzime prej miliona eurosh. Sarkozi nuk denjoi të lëvizte dhe thjesht e thirri me urgjencë Sali Berishën që po kthehej nga Kina dhe në një takim të shpejtë "i sugjeroi" që të blinte disa helikopterë ushtarakë francezë, një marrëveshje që po hetohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndaj është e vështirë të mendosh që dikush do të vijë në Shqipëri për të takuar Berishën kryeministër, por Berishën batakçi. Ndaj askush nuk pret që Merkel të vijë në Shqipëri apo të presë Berishën me tapet të kuq në Berlin pa pasur ndonjë tren me mbetje radioaktive apo kimikate nën tavolinë.
Para disa ditësh, pamë në TV pamjet se si gjermanët shtriheshin në shinat e trenit për ta ndaluar atë tren me plehra t'u vinte afër shtëpive. S'ka gjë se e marrim ne në Shqipëri. Mjafton që të dalë një fotografi kryeministri ynë me Merkelin. Apo jo, z. kryeministër historik i Shqipërisë?
Nessun commento:
Posta un commento