TIRANE- Kryeministri Sali Berisha në përgjigje të ofertës së bërë nga PS, tha se është në pritje të propozimeve konkrete nga opozita, dhe se çdo ofertë do të trajtohet sipas Kushtetutës. Deklaratën Berisha e bëri gajtë një takimi që pati me Zv.sekretaren e Përgjithshëme të KE-së Maud de Boer Buquichi
Kryeministri theksoi se është në pritje të propozimeve konkrete, në rrugë institucionale, në lidhje me çështjet e ngritura nga opozita, si dhe siguroi se mazhoranca mbetet e hapur dhe e përkushtuar për të trajtuar çdo propozim të opozitës me seriozitet dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Oferta e mazhorancës tha Berisha, është që opozita të ketë të drejtën e hartimit të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me kushtin e vetëm që ato të jenë të certifikuara nga Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR.
Berisha e njohu zonjën Buquichio me ofertën e fundit bërë opozitës, në lidhje me të drejtën e kësaj të fundit për të propozuar kandidatë për Avokatin e Popullit.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i është drejtuar me një letër kryeministrit Sali Berisha ku kërkohet t'i jepet fund krizës politike dhe të pranojë ofertën e re të PS-së.
"Në emër të interesave të vendit dhe në funksion të axhendës europiane opozita e ka parë të udhës të paraqesë një ofertë të re. Për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t'i japë fund krizës politike të vendit nuk kerkohen fletët e votimit për këtë hetim"- shkrua Rama ne leter.
Me poshte letra e plote e Rames, derguar Berishes
Z. Sali Berisha
Kryeminsitër i Republikës së Shqipërisë
I nderuar zoti Berisha,
Shumë të shqetësuar për zgjatjen dramatike të krizës për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë për të pranuar zgjidhjet e ofruara nga ana jonë, sikundër nënvizohet edhe në opinionit e Komisionit Europian, e kemi parë të udhës edhe njëherë në emër të interesave të vendit e në funksion të axhendës evropiane të tij, t'Ju bëjmë një ofertë të re.
Kjo ofertë bazohet mot-a-mot në rezolutën e Parlamentit Europian dhe unë vetë J'ua kam dorëzuar atë, në formën e një projekti të firmosur nga mbi 30 deputetë të opozitës për ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor për zgjedhjet, me shumicë nga opozita e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore. Pa përfshirë fletët e votimit.
Pra, sikundër e kemi bërë tashmë publike, për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet ti japë fund krizës politike të vendit, ne nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim. As nuk e kushtëzojmë marrëdhënien tonë të mëtejshme me parlamentin me fatin e fletëve të votimit, pavarësisht opinioneve krejt të ndryshme që kemi për këtë çështje, si për shumë çështje të tjera.
S'ka dyshim se me të filluar përmes këtij hetimi procesi i transparencës së shkallës së zbatimit të ligjit në zgjedhjet e shkuara, ne jemi gati të nisim edhe dialogun për reformën e re zgjedhore.
Ne besojmë se vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara krijon për reformën e re bindjen e arsyeshme se nuk bëhet fjalë thjesht për të pasur një ligj më të mirë në letër, siç ka ndodhur njëzet vjet më radhë pas zgjedhjesh pa standarde evropiane por një ligj që do të zbatohet më mirë se më parë në realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Sepse përmes kësaj transparece palët do të dëshmojnë për herë të parë vullnetin për të hetuar zbatimin e një ligji kaq themelor për bashkëjetesën demokratike të shqiptarëve, duke luftuar në rrënjë sëmundjen e vjetër të zgjedhjeve pa standarde, duke nxjerrë konkluzione të arsyeshme për përmirësimin e ligjit zgjedhor, po edhe përgjegjësi konkrete të administratës zgjedhore në procesin e implementimit të tij. Si edhe duke hapur për të ardhmen kapitullin e transparencës së pakushtëzuar pas zgjedhore, e cila do të jetë një garanci e madhe për ripërtëritjen e besimit te çdo zgjedhësi tek vlera e votës së tij.
Duke shpresuar që Ju nuk do ta zvarrisni më tej zgjidhjen e krizës dhe në emër të interesave të vendit do ta pranoni kompromisin që e zgjidh atë, Ju uroj pune të mbarë.
Për dijeni : Sh.T.Z. Jose Manuel Barroso, President i Komisionit Europian
Sh.T. Z. Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin
Sh.T.Z. Martin Schulz, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës Progresive te
Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian
Sh.T.Z. Joseph Daul, Kryetar në Parlamentin Europian i Grupit Parlamentar te
Partive Popullore.
Kryetari i PS, Edi Rama
Vetem nje dite me pare, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri Fiona Mcllwham tha se oferta e bërë nga Partia Socialiste për zgjidhjen e krizës poltikë është premtuese. Duke folur në konferencën për aderim në BE, Mcllwham tha se institucionet demokratike janë jetike dhe se shteti nuk duhet të varet nga tekat e politikës.Duke e vënë theksin tek zgjidhja e krizës, Mcllwham u shpreh se reformat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në shërbim të anëtarësimit në BE, nuk mund të behen pa dialog.
Nessun commento:
Posta un commento