venerdì 26 novembre 2010

Institucionet e pavarura në Kuvend: Duam para

Përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese kundërshtojnë buxhetin e qeverisë dhe kërkojnë ndihmën e deputetëve


TIRANË - Shkurtimi që i ka bërë qeveria buxhetit të institucioneve të pavarura i ka detyruar këto të fundit që të paraqiten një nga një në Kuvend dhe të kërkojnë më shumë para. Dje në Komisionin e Ligjeve u miratua mes toneve të larta dhe fyerjeve personale, projektbuxheti që parashikohet për këto institucione në vitin 2011.


Gjykata Kushtetuese, aq e sulmuar nga mazhoranca, do të marrë për vitin 2011 vetëm gjysmën e buxhetit të kërkuar prej saj, ndërkohë që problematike situata paraqitet edhe për institucionin e Avokatit të Popullit. Socialistët akuzuan mazhorancën se ka shkurtuar fondet e Gjykatës Kushtetuese në Buxhetin e vitit 2011 për arsye politike. Në jo pak raste, anëtarët e kësaj gjykate kanë rrëzuar vendime të qeverisë duke shkaktuar edhe një përplasje institucionale midis qeverisë dhe Gjykatës Kushtetuese.


Përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Ligjeve, Kujtim Osmani, kërkoi mbështetje më të madhe për shpenzimet operative dhe për investimet. "Për të realizuar funksionet kërkon mbështetje financiare në këtë drejtime, në fondin e shpenzimeve operative tetë milionë lekë më shumë.


Për zërin investime na duhen 3.2 milionë lekë për të realizuar projektet që kemi nisur, por nuk i kemi përfunduar për shkak të mungesës së fondeve", - theksoi Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Osmani.


Një kërkesë e tillë u pranua vetëm pjesërisht nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave. "Është realizuar kërkesa kryesore e gjykatës që kishte të bënte me numrin e punonjësve dhe fondin e pagave. Ka diferencë fare të vogël.


Pjesa e sigurimeve shoqërore që korrigjohet. Pjesa tjetër e buxhetit asnjëherë nuk mjafton, por, në krahasim me një vit më parë, zëri, mallra dhe shërbime është me rritje", - sqaroi Mimoza Dhëmbi. Problematike për Gjykatën Kushtetuese është mbetet edhe pagesa e rojeve. Sipas qeverisë, ruajta e tyre do të bëhet me polici shtetërore dhe private.


Problematike paraqitet situata edhe për buxhetin e ardhshëm të Avokatit të Popullit, i cili kërkoi më shumë fonde për shpenzimet operative. "Kemi pretendim për shpenzimet operative. Bëhet fjalë për 15 milionë lekë të reja. Kjo duke pasur parasysh aktivitetin që kryejmë në rrethe të ndryshme të vendit lidhur me organizimin e ditëve të hapura dhe me rolin që kryejmë për parandalimin e torturës.


Në fakt, na është miratuar një fond prej 13 milionë e 750 mijë lekë të reja dhe një diferencë prej 1 milionë e 250 mijë lekë do të donim të shtohej", - tha Florina Nuni, që mban postin e Avokatit të Popullit në detyrë.


Kërkesa e institucionit të Avokatit të Popullit u cilësua si racionale nga Ministria e Financave për një shtesë në shpenzimet operative, ndërkohë që fonde të tjera, sipas Avokatit të Popullit në detyrë, Florina Nuni, do të sigurohet nga financimet e huaja.


Një tjetër institucion që paraqiti pretendimet për shtim fondesh ishte edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, të cilët kërkuan një shtim fondi prej 700 mijë lekësh. Kuvendi vendosi që t'i kërkojë qeverisë një rritje të fondit për këtë institucion.


Debatet e djeshme në sallë


Viktor Gumi: Në një terren kushtetues është interesante të diskutojmë dhe në këtë pikë. Informoj komisionin për një kërkesë të republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë që ka ardhur në Komisionin e Venecias, sipas të cilës rrogat e pushtetit gjyqësor përfshirë dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese reduktohen 10 %. Ajo ka shkuar në këndvështrimin a cenohet apo jo pushteti gjyqësor.


Përgjigjja ka qenë absolutisht e lejueshme për shtetin të reduktojë në një masë të caktuar pushtetin gjyqësor. Ne nuk kemi në kohën më të mirë për buxhetin, nuk kemi luksin për të bërë çfarëdolloj gjëje.


Nuk jemi as në ditën më të keqe të këtij buxheti. Besoj se shumë gjëra mund të përmbahen. Nga 1000 tituj librash mund të blihen 100. Projekti i informatizimit mund të presë. Ndaj, besoj se buxheti i kalkuluar realizon realizimin e detyrave.


Dashnor Sula: Ne po krahasohemi me Gjermaninë, ti na kthen te Maqedonia.


Shegush Ligori: Kaq inat i keni gjykatat?


Pandeli Majko: Mirë që të hoqën si ministër se kushedi ç'do të bëje...


Shegush Ligori: Ai zotëria atje nuk ka fytyrë që të ofendojë asnjë deputet të këtij Kuvendi


Eduard Halimi: Të thuash se karrierën tënde e njeh çdokush nuk është fyerje.


Shegush Ligori: Ti nuk ke punuar asnjë ditë si magjistrat o zotëri dhe ti e di shumë mirë.


Ilir Rusmali: Ta mbyllim debatin jashtë teme. Maqedonia një vend që kemi marrëdhënie të shkëlqyera nuk mund të bëhet sherr se është turp për ne.


Kujtim Osmani: Ruajtja nga roje private sipas vendimit të Qeverisë. Vlera është llogaritur dy milionë nga buxheti është dhënë 1.129 milionë lekë. Paga për roje 15-20 mijë lekë.


Ilir Rusmali: Mund të biem dakord për plus 6 milionë lekë?


Mimoza Dhëmbi: Mendojmë se brenda totalit të fondeve mund të përballohen dhe aktivitetet ndërkombëtare, të zgjidhen prioritetet.

ILDKP


Institucioni ynë është në parim dakord me këtë buxhet, por njëkohësisht kërkon një shtesë në planin e fondit të pagave në vlerën 700 mijë lekë, kjo në kuadër të rishikimit të politikave të veta kontrolluese, në përmirësimin tërësor të infrastrukturës institucionale, në funksion të rritjes së cilësisë së kontrollit të interesave private.

Gjykata Kushtetuese


Për vitin 2011, në projektligjin për buxhetin të paraqitura nga Këshilli i Ministrave, për Gjykatën Kushtetuese janë parashikuar 100, 909 mijë lekë nga 118,500 mijë lekë që ka qenë kërkesa fillestare e këtij institucioni. Kërkesat e pambuluara në projektbuxhetin e vitit 2011, për Gjykatën Kushtetuese janë për rreth +11,700 lekë, nga të cilat për shpenzimet korrente me +8,500 lekë dhe për investimet me 3,200 mijë lekë.


Avokati i Popullit


Për vitin 2011, Institucionit të Avokatit të Popullit i është parashikuar një buxhet në shumën prej 88.000.000 lekë.


Konstatohet se në përgjithësi zërat paga, sigurime, investime dhe kuota janë plotësuar me përjashtim të zërit të shpenzimeve operative, i cili është pakësuar në vlerën prej 1.250.000 lekë.


Në dukje, kjo shumë mund të konsiderohet e vogël, por në qoftë se do të rivlerësohej nga ana juaj do të plotësonte dhe shërbente funksionimin normal të veprimtarisë së institucionit.

Ekspertët theksojnë se pezullimi i procesit të miratimit të dekreteve të Topit duhet të ishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese
Pezullimi i dekreteve, juristët kundër Topallit


TIRANË - Vendimi i Parlamentit për të pezulluar kalimin e dekreteve të Presidentit për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë konsiderohet nga konstitucionalistët si antikushtetues.


Juristi Niazi Jaho theksoi se pezullimi i dekreteve të kreut të shtetit nuk parashikohet në rregulloren e Kuvendit. "Pezullimi i dekretit të presidentit nuk mbështetet në ndonjë nen të rregullores.


Në qoftë se Gjykata Kushtetuese që ne nuk e dimë, do të vonojë përgjigjen e kërkesës, ose vendimin e saj atëherë do të vazhdojnë të jenë në detyrë anëtarë të cilëve u ka mbaruar prej kohësh mandati. Ndërsa, për sa i përket Gjykatës së Lartë, atyre që u ka mbaruar mandati atyre janë larguar menjëherë dhe Gjykata e Lartë ka një boshllëk", - u shpreh Jaho.


Edhe juristi tjetër Rustem Gjata është i mendimit se pezullimi i shqyrtimit të kandidaturave të presidentit Topi duhet të ishte marrë nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe jo nga parlamenti. "Gjykatës Kushtetuese me atë kërkesë që e ka bërë për interpretim të kërkonte që ajo të vendoste vetë pezullimin e shqyrtimit.


Ajo vetë me nismën e saj për mendimin tim nuk duhej të pezullohej. Përderisa ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese kërkoja dhe të gjitha të tjerat", - tha konstitucionalisti Rustem Gjata.


Juristët propozojnë ndryshimin e neneve që kanë të bëjnë me ripërtëritjen e këtyre institucioneve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Sipas Jahos, ndërhyrja në Kushtetutë do t'i jepte zgjidhje përplasjeve institucionale mbi gjykatat.


"Këtu s'ka të bëjë me interpretim, por mund të shtrohet çështja e ndryshimeve në Kushtetutë dhe në ligj", - tha Jaho. "Mosmarrëveshjet që kanë lindur mes presidentit dhe Kuvendit janë pasojë e një rregullimi jo aq të mirë nga Kushtetuta. Duhet ndrequr Kushtetuta", - u shpreh ai.


Nessun commento:

Posta un commento