martedì 23 novembre 2010

Sulmi me predha dhe raketa, Koreja e Jugut i përgjigjet Penjanit

Koreja e Jugut ka paralajmëruar Veriun se do të reagojë ashpër ndaj çdo provokimi tjetër, pasi dhjetra predha artilerie goditën një ishull koreanojugor.

Presidenti koreanojugor, Presidenti Lee Myung-bak dha urdhër që ushtria të reagonte me sulm me raketa ndaj Koresë së Veriut, nëse siç u shpreh, "do të ketë provokime të mëtejshme".

Veriu dhe Jugu kanë fajësuar njëri-tjetrin si shkaktar të fillimit të incidentit që cilësohet si më i rëndi që prej fundit të Luftës Koreane.

Incident i rëndë

Dy ushtarë u vranë dhe rreth 50 persona të tjerë u plagosën nga predhat që ranë në ishullin koreanojugor që ndodhet shumë pranë kufirit mes të dyja vendeve.

Imazhi i shtëllungave të tymit që ngriheshin nga predhat dhe i një fshati që digjej ishte diçka që shumë koreanë kanë shpresuar të mos e shikonin kurrë më.

Zjarri i artilerisë goditi një ishull të vogël koreanojugor Yeonpyong, që ndodhet pranë kufirit koreanojugor.

Ushtria koreanojugore qëlloi me 80 predha si reagim, duke shkaktuar atë që e quajti "dëm të konsiderueshëm."

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën, megjithëse duke patur parasysh provokimet e mëparshme, Koreja e Veriut mund të shihet nga shumë vëzhgues neutralë si fajtori i mundshëm.

Reagime nga jashtë

Ka shumë nga ata që do të pyesin se çfarë do të thotë ky episod i fundit për politikat e brendshme të turbullta të Phenianit.

Incidenti vjen në një periudhë të rrezikshme tranzicioni, kur lideri Kim Jong e kalon pushtetin tek djali i tij më i vogël.

Incidenti është dënuar nga SHBA-ja dhe Rusia, megjithëse Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut, ka refuzuar të emërojë fajtorin.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Pheniani duhet të ndalë veprimet kokëforte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, foli për një rrezik kolosal dhe shtoi se ata që e iniciuan zjarrin e artilerisë duhet të mbanin përgjegjësi të plotë.

Në kontrast Pekini, që shumë rrallë e kritikon Phenianin, u bëri thirrje të dyja palëve për paqe dhe stabilitet.

Sulmi
Ushtria koreanoveriore ka sulmuar një ishull të Koresë Jugore dhe ka vrarë të paktën dy ushtarë. Si pasojë e 400 granatave të hedhura ka pasur edhe të plagosur, në mesin e tyre disa banorë dhe 17 ushtarë koreanojugorë. Koreanojugorët kanë një bazë ushtarake në ishullin Yeonpyeong, i cili ndodhet në afërsi të vijës së diskutueshme kufitare mes dy shteteve në Detin e Verdhë. Banorët njoftuan se janë hedhur granata nga të cilat janë djegur rreth 60 shtëpi. Forcat e armatosura koreanojugore janë në shkallë të lartë të alarmit. Ato i janë kundërpërgjigjur zjarrit. Sipas të dhënave nga Seuli Korea e Veriut po vazhdon zjarrin e saj artilierik. Qeveria në Seul ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme. Tensionet në mes të dy vendeve janë ngritur gjatë muajve të kaluar. Korea e Jugut bën përgjegjëse veriun komunist për fundosjen e një anije të saj ushtarake në Detin e Verdhë. Si pasojë jetën patën humbur në mars 46 marinarë koreanojugorë.


Nessun commento:

Posta un commento