Mungesa e disa anëtarëve për shkaqe shëndetësore dhe mosvotimi i anëtarëve të rinj në Kuvend bllokon Gjykatën e Lartë
Dështon vlerësimi i arrestit ndaj ish- zyrtarit të SHISH, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës
TIRANË- Mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, bllokon mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për rivlerësimin e masës së sigurisë në mungesë ndaj të pandehurit Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës.
Shqyrtimi i kërkesës së prokurorisë, ishte parashikuar muaj më parë, por mungesa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, bëri që të shtyhet seanca gjyqësore për një datë të pacaktuar.
"Shkak për marrjen e vendimit të shtyrjes së kësaj çështjeje, por edhe të një tjetër çështje të rëndësishme të Kolegjeve të Bashkuara, është bërë mosfunksionimi me trupë të plotë gjyqësorë të Kolegjeve të Bashkuara për arsye të vendeve ende të paplotësuara me tre anëtarë të Gjykatës së Lartë",-theksoi dje kryesuesi i trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Adrian Dvorani, duke iu referuar mos votimit në Kuvend të tre dekreteve të Presidentit për kandidatët në Gjykatën e Lartë. Presidenti ka dekretuar në shtator të këtij viti gjyqtarët Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi dhe Manjola Bejleri si kandidatë për në Gjykatën e Lartë.
Por, grupi i Partisë Demokratike, i iniciuar nga deputeti Viktor Gumi, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë, duke i kërkuar këtij institucioni interpretimin e tre neneve, që kanë të bëjnë me ripërtëritjen e mandatit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.
Bazuar në këtë kërkesë, Kuvendi me shumicë votash (të mazhorancës) vendosi pezullimin e votimit të tre kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese për kërkesën e deputetit Gumi.
Ndërkohë, arsyeja tjetër që u bë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore, ishte edhe pamundësia e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës së Lartë, znj.Shpresa Beçaj dhe kryetarit të Kolegjit Penal, z.Gani Dizdari në këtë mbledhje, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, që janë detyruar të bëjnë pushim.
Gjithashtu, u mësua se në gjykimin e "dosjes Kumbaro" nuk mund të merrnin pjesë edhe dy gjyqtarë të kësaj gjykate, gjyqtari Medi Bici pasi është shprehur për këtë çështje kur ishte gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda.
Dhe gjyqtarja Mirela Fanaj, pasi bashkëshorti i kësaj të fundit avokat Neshat Fanaj, ka qenë mbrojtësi ligjor i njërit nga të pandehurit e kësaj dosjeje, ku akuzohet edhe Kumbaro.
Kështu që nga 14 gjyqtarët që janë aktualisht në Gjykatë të Lartë, në mbledhjen e djeshme u mblodhën vetëm 10 prej tyre, çka sipas ligjit nuk mund të shqyrtojnë asnjë çështje si Kolegj i Bashkuar i kësaj gjykate.
"Në bazë të Nenit 16 të Ligjit Nr.8588, të datës 15 mars 2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë", Kolegjet e Bashkuara gjykojnë vetëm kur në to marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që do të thotë jo më pak se 12 anëtarë të saj"-thuhet në burimet zyrtare të Gjykatës së Lartë, çka bëri që seanca e djeshme të shtyhet.
Remzi Hoxha, biznemseni shqiptaro- maqedonas, u rrëmbye në vitin 1995 në Tiranë. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda, akuzon katër ish- zyrtarë të SHIK, si të implikuar në rrëmbimin e zhdukjen e tij.
Dy persona të tjerë janë rrëmbyer bashkë me biznesmenin shqiptaro- maqedonas në vitin 1995, në rrethana ende të panjohura. Edhe në këtë rast të dyshuarit janë të njëjtët persona, për të cilët vijon procesi në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Arben Sefgjini, ish drejtues i lartë i SHIK, është i vetmi i akuzuar i cili është paraqitur në procesin gjyqësor, që prej fillimit të tij në gjykatë. Për Budjon Meçen, një tjetër i akuzuar, dosja është ndarë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Akuza:
Kumbaro dhe dy ish- shikasit rrëmbyen biznesmenin shqiptaro- maqedonas
Ilir Kumbaro, bashkë me të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe po gjykohen për akuzën e "rrëmbimit dhe torturimit" të shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1995.
Për këtë vepër, i pandehuri Kumbaro, tashmë i arrestuar në Angli, Gjykata e Tiranës në vitin 2000 pat caktuar masën e sigurisë "arrest me burg". Kjo masë sigurie u shfuqizua nga Gjykata e Lartë, pasi në vitin 2003 Prokuroria e Përgjithshme kishte pushuar akuzat ndaj ish-SHIK-asve të pandehur.
Ndërkohë, në Angli arrestohet i shumëkërkuari Kumbaro, çka i detyroi avokatët t'i drejtohen Gjykatës së Lartë për shuarjen e masës së sigurisë të vitit 2000, për shkak se akuzat ndaj tij ishin pushuar në vitin 2003 me urdhër të kryeprokurorit të asaj kohe.
Bazuar në këtë kërkesë të mbrojtjes, Gjykata vendosi të shuajë masën e sigurisë, çka i detyroi autoritetet angleze ta lirojnë nga qelia Kumbaron. Por, ky lirim nuk zgjati shumë, pasi Gjykata për Krime të Rënda bazuar në kërkesën e prokurorisë, i caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë mbi bazën e procedimit që tashmë po gjykohet. Kjo masë sigurie u ankimua në Apel, e cila e la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
KLD
Nessun commento:
Posta un commento