mercoledì 24 novembre 2010

Pa shtëpi, në mëshirë të Zotit!

MIRDITË/ Shkarjet e dheut për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej ditësh kanë përfshirë edhe banesat e shumë familjeve

Përveç premtimit për disa çadra, familjet e dëmtuara nuk kanë asnjë mundësi tjetër për t'i shpëtuar ankthit


MIRDITË - Një lagje e tërë ka shkarë nga reshjet e shumta që vazhdojnë prej ditësh në fshatin Prosek të komunës Kthellë në Mirditë. Fatkeqësia natyrore që nisi para dhjetë ditësh ka bërë që familjet e atyshme të lënë shtëpitë për të kërkuar mbijetesën në baraka të braktisura, ndërsa disa të tjerë e kanë kaluar natën jashtë nën reshjet e shiut së bashku me fëmijët e tyre.


Lagjja "Kolpërkolaj" në këtë fshat më shumë i ngjan një vendi të bombarduar, e ku në vend të "kratereve" të zakonshme bien në sy brazda të mëdha të thelluara gjithandej dhe një kodër e rrëshqitshme që rri mbi krye të lagjes kërcënueshëm nga momenti në moment për të rënë poshtë.


Shtëpitë kanë ikur qoftë në anën e sipërme të rrugës nacionale që lidh Rrëshenin me Lurën, ashtu dhe në anën e poshtme, ndërsa vetë rruga ka pësuar cedime duke krijuar pellgje të mëdha uji, që pengojnë totalisht kalimin e makinave të ulta, ndërsa mirëmbajtësit e rrugës rroken me ca lopata për të hapur kanalet që të bëhet i mundur kalimi i ujërave që shtohen vazhdimisht nga reshjet e dendura, por pa mundur ta bëjnë një gjë të tillë.


Një "minieskavator" është inventari i gjithë ndërmarrjes së mirëmbajtjes, ndërsa drejtori Preng Toma, i cili duket aty në rrugë si "gjenerali me ca ushtarë të moshuar", na thotë se "edhe lekë për naftë nuk kemi, jo më të sigurojmë një fadromë për të kryer punime sa për të mbushur vendin ku rruga ka rrëshqitur apo hapjen e disa tumbinove të nevojshme që të mundësohet kalimi i automjeteve".


Prindi i tre jetimëve, apel për ndihmë


Edhe pse rrëshqitjet kanë më se një javë që kanë filluar dhe banorëve të atyshëm nuk u ka mbetur gjë pas shpirtit, ata nuk duan të largohen, por as të flenë aty nuk munden, ndaj i kanë kaluar netët në hije të shtëpive jashtë. Njëri prej tyre, Viktor Tusha, nuk di nga t'ia mbajë veçse të "sodisë" me trishtim çfarë ka ndodhur në shtëpinë e tij, ku rriste tre fëmijët jetimë, pasi para katër vitesh i ka vdekur dhe gruaja nga një sëmundje e rëndë në gjak. Edhe pse me shtëpi të shembur, tre fëmijët i ka çuar në shkollë.


Por, a do ta kenë mendjen tek mësimet këta vocërrakë, kur më shumë se të dëgjojnë shpjegimin e mësuesve, u duhet të përhumben me mendimet e tyre se çfarë do të bëjnë kur të kthehen nga shkolla, pasi nuk kanë se ku të fusin kokën. Babai i tre fëmijëve që duhet t'i mbajë me bukë, t'i veshë e shkollojë, ndihet i vetmuar dhe i harruar nga kushdo, as mes të gjallësh e as mes të vdekurish!


unon në një firmë inertesh, ndërsa nuk përkrahet në asnjë cent për fëmijët jetimë që mban, ndërsa shton se e gjithë ndihma përmblidhet në një thes mielli që një shoqatë iu ka ofruar para disa javësh. Edhe ai thes mielli ka mbetur aty nën rrënojë, si dhe disa orendi të amortizuara, të cilat nuk i vlejnë më për asgjë.
Pak më sipër janë shtëpitë e vëllezërve të tij, edhe ato të shkatërruara.


Edhe shtëpia më sipër është katandisur si mos më keq, zotëruesi i saj Mark Tusha, që ka 6 pjesëtarë të familjes, thotë se "kam fjet jashtë me gjithë fëmijë dhe ne nuk dijmë çfarë mund të ndodhë më tej".


Pak më tej dhe shtëpia e Fran Tushës duket si e shkuar. Më lart janë shtëpitë e familjeve Gjonaj dhe ato për punë ditësh mund të qëndrojnë në këmbë, ndaj kanë filluar të marrin ç'të mundin, tjegulla e orendi të tjera për t'i patur në shpërnguljen e tyre pa adresë.


Edhe pse kanë dhjetë ditë në këtë gjendje, veç konstatimeve, asnjë ndihmë tjetër nuk kanë pasur, vetëm u kërkohen letra!!! Ndërsa edhe kur t'i mbarojnë këto procedura nuk dihet sa mund të zgjasë pasi përvoja e familjeve të tjera që janë ndeshur me këtë fenomen natyror ka rezultuar e idhët (ka familje që prej 8 vitesh ende nuk kanë marrë asnjë shpërblim për shtëpitë e shembura).


Kryetari i komunës, Tom Lleshi, thotë se pas bisedës me prefektin, familjeve do t'u jepen vetëm çadra, por nuk ka asnjë premtim për ndonjë fond emergjencë së paku, sa për të kaluar këto ditë traumatike për këto familje, sepse buxheti i komunës për këtë gjë tashmë është rrudhur në zero!


Gjeologët: Shumë para të hedhura mbi një zonë të rrezikshme


Nga biseda me gjeologët duket e frikshme gjithçka pohojnë ata, teksa ata të sqarojnë në detaje për formacionet gjeologjike mbi të cilat ndodhen këto banesa, por dhe punët skandaloze që janë kryer në këtë aks rrugor, edhe pse janë adresuar fonde të majme. Asnjë punim aty nuk është kryer referuar studimeve të sakta gjeologjike dhe ka rrezik që kjo të ndodhë edhe me projektin e ri Rrëshen-Klos, sidomos në zonën e Prosekut, që njihet si zonë me aktivitet rrëshqitës të dendur.


Inxhinieri gjeolog Martin Legisi, i cili ka qëndruar disa ditë me një studim të hollësishëm, jep detaje të asaj çfarë ka ngjarë dhe çfarë mund të ngjasë më tej në atë vend.
Ai thotë se kemi të bëjmë me fenomen fiziko-gjeologjik të zhvilluar në atë zonë, aktivizuar për shkak të formacioneve me veti të dobëta gjeoteknike. Janë rrëshqitje aktive me sens lëvizjeje juglindje-veriperëndim të këtij trupi rrëshqitës me përmasa 300 m gjatësi me 120 metra gjerësi.


Nga pikëpamja gjeologjike vendi aty ka formacione me përmbatje argjilore, suargjile, alevralite, ranore dhe konglomerate. Në këtë thellësi janë evidentuar tre rrafshe rrëshqitëse. Në hapësirën e kësaj rrëshqitjeje të atyshme janë vendosur shumë shtëpi banimi dhe objekte të tjera, si dhe kalon aksi rrugor për Lurë. Nga këto, tri banesat poshtë janë nën efektin e drejtpërdrejtë të rrëshqitjes dhe banorët duhet të ikin një orë e më parë.


Por inxhinieri Legisi jep alarmin teksa sqaron se i gjithë fshati gjendet në rrëshqitje pasive, ndërsa aktivizohen vende të veçanta për shkak të reshjeve dhe dukurive të tjera që shërbejnë si rrafshe lubrifikante këtyre terreneve të dobëta, të deformuara dhe të papërshtatshme për ndërtime në përgjithësi. Gjithashu, vihet re se nuk është punuar për disiplinimin e ujërave, të cilat vijnë e gufosen në një pikë.


Ai apelon se asnjë ndërtim aty nuk duhet të bëhet pa studim gjeologjik, ashtu si dhe veprat e infrastrukturës, pasi e gjithë zona paraqet rrezik dhe do trajtim tejet të kujdesshëm.


Nessun commento:

Posta un commento