Presidenti i SHBA Barak Obama ka riafirmuar angazhimin e vendit të tij për të mbrojtur Korenë e Jugut gjatë një bisede telefonike me presidentin koreanojugor Li Myung - Bak dhe është zotuar se do të punojë edhe me vendet e tjera për " të dënuar ashpër" sulmin vdekjeprurës me artileri që Koreja e Veriut ndërmori ndaj një ishulli të Koresë së Jugut.
Në një njoftim të shpërndarë mbrëmë në Uashington, Shtëpia e Bardhë bën me dije se dy presidentët ranë gjithashtu dakord që të zhvillojnë stërvitje të kombinuara ushtarake dhe të zgjerojnë trajnimet për të treguar forcën e aleancës së tyre.
Z. Obama i tha gjithashtu z. Lee se " lutjet dhe mendimet " e popullit amerikan janë me familjet e dy marinarëve koreanojugor të cilët u vranë dhe 18 të tjerëve - mes tyre 3 civilë - të cilët u plagosën në sulmin e mëngjesit të së martës.
Sulmi, i cili u krye teksa forcat e Koresë së Veriut po zhvillonin një stërvitje ushtarake në ishullin që është 12 kilometra larg bregdetit të Koresë së Veriut, shkaktoi një shkëmbim të zjarrit të artilerive, çka ishte ballafaqimi më dramatik mes dy palëve, që nga mbyllja e luftës koreane në vitin 1953.
Koreja e Jugut ka paralajmëruar Veriun se do të reagojë ashpër ndaj çdo provokimi tjetër, pasi dhjetra predha artilerie goditën një ishull koreanojugor.
Presidenti koreanojugor, Presidenti Lee Myung-bak dha urdhër që ushtria të reagonte me sulm me raketa ndaj Koresë së Veriut, nëse siç u shpreh, "do të ketë provokime të mëtejshme".
Veriu dhe Jugu kanë fajësuar njëri-tjetrin si shkaktar të fillimit të incidentit që cilësohet si më i rëndi që prej fundit të Luftës Koreane.
Incident i rëndë
Dy ushtarë u vranë dhe rreth 50 persona të tjerë u plagosën nga predhat që ranë në ishullin koreanojugor që ndodhet shumë pranë kufirit mes të dyja vendeve.
Imazhi i shtëllungave të tymit që ngriheshin nga predhat dhe i një fshati që digjej ishte diçka që shumë koreanë kanë shpresuar të mos e shikonin kurrë më.
Zjarri i artilerisë goditi një ishull të vogël koreanojugor Yeonpyong, që ndodhet pranë kufirit koreanojugor.
Ushtria koreanojugore qëlloi me 80 predha si reagim, duke shkaktuar atë që e quajti "dëm të konsiderueshëm."
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën, megjithëse duke patur parasysh provokimet e mëparshme, Koreja e Veriut mund të shihet nga shumë vëzhgues neutralë si fajtori i mundshëm.
Reagime nga jashtë
Ka shumë nga ata që do të pyesin se çfarë do të thotë ky episod i fundit për politikat e brendshme të turbullta të Phenianit.
Incidenti vjen në një periudhë të rrezikshme tranzicioni, kur lideri Kim Jong e kalon pushtetin tek djali i tij më i vogël.
Incidenti është dënuar nga SHBA-ja dhe Rusia, megjithëse Kina, aleatja kryesore e Koresë së Veriut, ka refuzuar të emërojë fajtorin.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Pheniani duhet të ndalë veprimet kokëforte.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, foli për një rrezik kolosal dhe shtoi se ata që e iniciuan zjarrin e artilerisë duhet të mbanin përgjegjësi të plotë.
Në kontrast Pekini, që shumë rrallë e kritikon Phenianin, u bëri thirrje të dyja palëve për paqe dhe stabilitet.
Nessun commento:
Posta un commento