Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shkruan kryeministrit për ofertën e fundit të paraqitur nga opozita për hetimin
"Për hir të kompromisit të domosdoshëm, ne nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim"
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dërguar një letër kryeministrit Berisha, ku sqaron ofertën e fundit të opozitës për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në këtë letër, duke shprehur shqetësimin për zgjatjen dramatike të krizës, për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë për të pranuar zgjidhjet e ofruara nga ana e opozitës, Partia Socialiste e ka parë të udhës edhe njëherë në emër të interesave të vendit e në funksion të axhendës europiane të tij, të bëjë një ofertë të re.
"Kjo ofertë bazohet mot-a-mot në rezolutën e Parlamentit Europian dhe unë vetë jua kam dorëzuar atë, në formën e një projekti të firmosur nga mbi 30 deputetë të opozitës për ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor për zgjedhjet, me shumicë nga opozita e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore.
Pa përfshirë fletët e votimit", - sqaron propozimin e socialistëve, Edi Rama.
Në letrën e tij, lideri i Opozitës së Bashkuar shprehu besimin se vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara krijon për reformën e re bindjen e arsyeshme se nuk bëhet fjalë thjesht për të pasur një ligj më të mirë në letër, siç ka ndodhur njëzet vjet më radhë pas zgjedhjesh pa standarde europiane, por një ligj që do të zbatohet më mirë se më parë në realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
"Sepse, përmes kësaj transparence, palët do të dëshmojnë për herë të parë vullnetin për të hetuar zbatimin e një ligji kaq themelor për bashkëjetesën demokratike të shqiptarëve, duke luftuar në rrënjë sëmundjen e vjetër të zgjedhjeve pa standarde, duke nxjerrë konkluzione të arsyeshme për përmirësimin e ligjit zgjedhor, po edhe përgjegjësi konkrete të administratës zgjedhore në procesin e implementimit të tij.
Duke shpresuar që ju nuk do ta zvarrisni më tej zgjidhjen e krizës dhe në emër të interesave të vendit do ta pranoni kompromisin që e zgjidh atë, ju uroj punë të mbarë", - përfundon letra e dërguar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Letra e plotë
I nderuar zoti Berisha,
Shumë të shqetësuar për zgjatjen dramatike të krizës për shkak të mungesës së gatishmërisë së qeverisë për të pranuar zgjidhjet e ofruara nga ana jonë, sikundër nënvizohet edhe në opinionit e Komisionit Europian, e kemi parë të udhës edhe njëherë në emër të interesave të vendit e në funksion të axhendës europiane të tij, t'ju bëjmë një ofertë të re.
Kjo ofertë bazohet mot-a-mot në rezolutën e Parlamentit Europian dhe unë vetë jua kam dorëzuar atë, në formën e një projekti të firmosur nga mbi 30 deputetë të opozitës për ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor për zgjedhjet, me shumicë nga opozita e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore. Pa përfshirë fletët e votimit.
Pra, sikundër e kemi bërë tashmë publike, për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t'i japë fund krizës politike të vendit, ne nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim.
As nuk e kushtëzojmë marrëdhënien tonë të mëtejshme me parlamentin me fatin e fletëve të votimit, pavarësisht opinioneve krejt të ndryshme që kemi për këtë çështje, si për shumë çështje të tjera.
S'ka dyshim se me të filluar përmes këtij hetimi procesi i transparencës së shkallës së zbatimit të ligjit në zgjedhjet e shkuara, ne jemi gati të nisim edhe dialogun për reformën e re zgjedhore.
Ne besojmë se vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara krijon për reformën e re bindjen e arsyeshme se nuk bëhet fjalë thjesht për të pasur një ligj më të mirë në letër, siç ka ndodhur njëzet vjet më radhë pas zgjedhjesh pa standarde europiane, por një ligj që do të zbatohet më mirë se më parë në realitetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Sepse, përmes kësaj transparence, palët do të dëshmojnë për herë të parë vullnetin për të hetuar zbatimin e një ligji kaq themelor për bashkëjetesën demokratike të shqiptarëve, duke luftuar në rrënjë sëmundjen e vjetër të zgjedhjeve pa standarde, duke nxjerrë konkluzione të arsyeshme për përmirësimin e ligjit zgjedhor, po edhe përgjegjësi konkrete të administratës zgjedhore në procesin e implementimit të tij.
Si edhe duke hapur për të ardhmen kapitullin e transparencës së pakushtëzuar pas zgjedhore, e cila do të jetë një garanci e madhe për ripërtëritjen e besimit të çdo zgjedhësi tek vlera e votës së tij.
Duke shpresuar që ju nuk do ta zvarrisni më tej zgjidhjen e krizës dhe në emër të interesave të vendit do ta pranoni kompromisin që e zgjidh atë, ju uroj punë të mbarë.
Kryetari i PS, Edi Rama
Oferta
"Kjo ofertë bazohet mot-a-mot në rezolutën e Parlamentit Europian dhe unë vetë jua kam dorëzuar atë, në formën e një projekti të firmosur nga mbi 30 deputetë të opozitës për ngritjen e menjëhershme të një komisioni hetimor për zgjedhjet, me shumicë nga opozita e nën drejtimin e opozitës, me një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore. Pa përfshirë fletët e votimit", - sqaron lideri i socialistëve.
Kushtëzimi
"Pra, sikundër e kemi bërë tashmë publike, për hir të kompromisit të domosdoshëm që duhet t'i japë fund krizës politike të vendit, ne nuk i kërkojmë fletët e votimit për këtë hetim. As nuk e kushtëzojmë marrëdhënien tonë të mëtejshme me Parlamentin me fatin e fletëve të votimit, pavarësisht opinioneve krejt të ndryshme që kemi për këtë çështje, si për shumë çështje të tjera", - bën me dije Rama.
PS fshehu përmbajtjen e letrës së Ramës pas kërkesës së faktorit ndërkombëtar
Letra e bllokuar deri në leximin e kryeministrit
TIRANË - Partia Socialiste ka mbajtur të fshehtë përmbajtjen e letrës së dërguar nga kryesocialisti Rama për kryeministrin Berisha deri në momentin që ky i fundit e ka lexuar atë. Ndonëse letra e liderit të opozitës është dërguar mëngjesin e të hënës, ajo është bërë publike vetëm mesditën e djeshme.
Vonesa në publikimin e materialit të shkruar nga kryetari i opozitës ishte një kusht i vendosur nga faktorët ndërkombëtarë.
Pasi ishin në dijeni të letrës së dërguar kreut të ekzekutivit, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë i kanë kërkuar selisë rozë që të mos e publikojë në media letrën e dërguar nga kryetari Rama deri në marrjen e konfirmimit se letra ishte marrë dhe lexuar.
Duke iu referuar kësaj logjike, publikimi i letrës nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste do të thotë se janë marrë të gjitha sinjalet se letra është marrë dhe lexuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Kjo letër është dërguar edhe për dijeni të Presidentit të Komisionit Europian, Manuel Barroso, Komisionierit për Zgjerimin, Stefan Fule, kryetarit të Grupit Parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Martin Schulz, dhe kryetarit në Parlamentin Europian i Grupit Parlamentar të Partive Popullore, Joseph Daul.
Kreu i PS-së takon Buquichion
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Maud de Boer Buquichio.
Përmes një njoftimi, zyra e shtypit e PS-së bën të ditur se gjatë këtij takimi kryesocialisti Rama e njohu De Boer Buquichio me ofertën më të fundit që opozita i ka ofruar qeverisë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike, ofertë e cila iu dorëzua vetë kryeministrit nga Kryetari i opozitës
"Rama theksoi se kjo ofertë i është përshtatur mot-a-mot rezolutës së Parlamentit Europian për zgjidhjen e krizës përmes transparencës, duke krijuar një komision parlamentar, me shumicë dhe kryetar të partisë Socialiste që do të bëjë transparencë dhe do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit dhe si objekt të hetimit të ketë kutitë e materialeve zgjedhore", - thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të socialistëve.
Gjatë takimit u bisedua gjithashtu edhe për progres-raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Mbi këtë pikë, mësohet se lideri i PS-së, Edi Rama, nënvizoi problematikën mbi lirinë e medias dhe presionin që ushtrohet nga pushteti mbi botuesit, gazetarët dhe analistët e mediave shqiptare, për konfliktin e pushtetit qendror me atë vendor në çdo nivel dhe për kulturën e pandëshkueshmërisë dhe moszbatimit të ligjeve që karakterizon këtë qeveri e që përmendet gjerësisht edhe në progres-raportin e BE-së.
Nessun commento:
Posta un commento