mercoledì 24 novembre 2010

Historia e Çezarit për shqiptarët tij

Çezar Kurti nisi karrierë universitare në Katedrën e Gjuhës Ruse në vitet gjashtëdhjetë, në kohën kur çdo ruse quhej një spiune e mundshme. U dëbua nga Tirana në Maminas.


Përkthimet e Dantes, Shekspirit, Ekzyperisë, Dostojevksit, Shallamovit i gëzoi të botuara në emigrim. Mendon se diktaturën e bëri jetëgjatë natyra njerëzore e prirur për servilizëm


Dy dritare në katin e dytë të shtëpisë së Çezarit dhe Adelinës që poshtë ka një qebaptore, i rrethojnë depo uji. Dy për së gjeri, një për së larti, dhe njëra që ka lënë hijen e blozës, e sapohequr me luftë që burrë dhe grua, të emigruar prej njëzet vjetësh në Amerikë, u desh të bëjnë me fqinjët e rinj, pronarë të shtesave dhe sterave moderne, si barqe të fryra arushash njëra mbi tjetrën në një gjumë dimri.


Çezari me kapelën e vogël republikë është tërhequr brenda dhomës, prej ku ka parë sharrimin e pemës së vetme në oborr. Shiu bie litar. Adelina hedh sytë mosbesues brenda lagjes që është bërë ana e ndryrë dhe e djersitur e një shpati tej e tej lokalesh luksozë në Bllok.


Ruse po edhe shqiptare


Çezar Kurti kish qenë në Katedrën e Gjuhës Ruse në Universitetin e Tiranës në vitet 1962-1976. Punonte profesor, por i interesonte letërsia. Shtëpinë botuese shtetërore e furnizonte me recensione për librat që duheshin botuar. Kjo punë për afro dhjetë vjet. Ishte njeri i preferuar.


Mund të çonte përkthime. Nuk ishin kundër kurrë, ia pranonin.
Shef katedre i Rusishtes më 1973 deri më 1976 kur filloi organizimi i asaj që zoti Kurti e quan "gjenocid kundër ruseve". Survejim i plotë ndaj të gjithë rusëve qysh pas vitit 1961-'62.


E implikuan në një proces politik. Mban mend që "u bë një mbledhje e madhe. Konsiderohej që filologjia kishte intelektualë të inkriminuar. Rasti im u trajtua në dy ditë. Duhej të dënohesha.


Unë në fund iu thashë këto fjalë: juve sot jeni mbledhur për të më hedhur baltë, për të më fundosur. Por do të vijë një ditë kur do të përpiqeni të më shikoni në sy, do t'ju vij turp nga vetja."


Sot Çezar Kurti mendon se në këtë punë, janë përfshirë intelektualë e shkrimtarë që krijuan një mentalitet kundër rusofilëve gjë që krijoi një situatë të rëndë për intelektualët e vërtetë shqiptarë. Sepse "shumë nga këta intelektualë nuk kanë qenë dakord që Enver Hoxha të prishej me rusët. Ne të gjithë mendonim se po hapej njëfarë drite.


Kurse kishte intelektualë që e nxorën Hoxhën sikur me pallton e tij po mbledh gjithë revizionistët. Sigurimi i shtetit atëhere u tërbua. Kjo nuk është mirë. Kjo është një faqe e turpshme në historinë e shtetit shqiptar."


Prej atij oborri, Filologjia që mendohej kishte ajkën e shkencave humane, Çezar Kurti mban mend një histori, sa për të dhënë shembullin se poshtërsitë e njerëzve që dukej se justifikoheshin në rrethanat kolektive, e kishin origjinën te natyra e prirë për servilizëm, dhe aspak te një frikë apo vetëdije politike.


Të njëjtën sjellje si ndaj ruseve të ish-kolegëve të tij, edhe ndaj shqiptareve e ilustron me këtë rast: një grua shqiptare, pedagoge e gjuhës ruse, në një mbledhje përjashtimi, u akuzua si pjesëmarrëse në ato që kish bërë i shoqi.


Asaj i ranë të fikët duke dalë dhe ngeli në shkallët e Fakultetit të Histori- Filologjisë. Ra dhe të gjithë kaluan sipër saj. Ata që të gjithë i serviloseshin dikur.
"E vërteta është që nuk u ktheva më në Fakultet. Nuk u ktheva dhe nuk kam folur më me asnjë."


Ndaj Çezar Kurtit, i lindur në Kavajë më 1935, për "mungesë vigjilence" u mor vendimi i qarkullimit si kuadër, por u dërgua punëtor nëntoke në minierën e Kurbneshit.


Humbja e shpresës


"Unë shkova atje për të mos u kthyer më. Megjithëse luftova për t'u kthyer. Në Tiranë jetoja me nënën time. Isha i dëbuar. Adelina u martua me mua kur u ktheva dhe kisha mbetur i papunë."


Nga profesor në minator. Ato dy vjet ishin kontradiktore. Së pari, gjithë kjo histori ishte një gënjeshtër e madhe. Një farsë e kotë.
Së dyti merrej me një pyetje:


Si të shpëtoj? Si të mbijetoj? Në minierë punon në errësirë, me një llambë në dorë. Nganjëherë ajo llamba zbehet, zbehet dhe ti je në errësirë të plotë. Ashtu më dukej vetja mua ndonjëherë. Por mendoja: do dal, do përkthej Prometeun e lidhur, do përkthej Danten, kështu që duhet jetuar.


Ditën kur kishte hyrë në minierë pa vetëm llucën dhe errësirën. Por ata punëtorë që bënin punët më të rënda, po i dukeshin shumë më të mirë se kolegët e fakultetit. Me ata mund të ziheshe kollaj, për hiçgjë mund të ziheshe, por kishin fundi i fundit një respekt njerëzor.


Duke parë në fund të veprave të kongreseve të Enver Hoxhës listën e anëtarëve të Byrosë, i dilte që deri në Kongreset IV-V, tetëdhjetë për qind e tyre ishte eliminuar. "Dhe të them të drejtën nuk shihja asnjë rrugëdalje, as për veten, as për popullin.


Shihja mentalitetin, mënyrën e sjelljes së njerëzve. Por ata ishin të gjithë servilë, të gjithë donin ta kishin mirë me pushtetin. Dhe nuk e hapnin gojën për shumë gjëra. Kjo e ka bërë diktaturën jetëgjatë. Po."


Përkthimi dhe gëzimi


Kthimi pas nëntë vjetësh nga Maminasi në Tiranë i dha liri, por jo punë. Nuk kishte të drejtë botimi prej vitit 1976 deri më 1985.


Më 1990 mori një vit leje krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve. Kishte përkthyer "Antoni dhe Kleopatra" dhe "Sonete" të Shekspirit, të cilat sot përbëjnë një nga pesë variantet e përkthimit në shqipe.


Kishte përkthyer në vitet shtatëdhjetë "Princin e vogël", edhe "Toka e njerëzve" të Antoine de Saint Exupery. Nuk u pranua: "Përkthimi është shumë i mirë, autori është shumë i mirë, por nuk është koha."


E ruajti. "Më 1985 lindi një problem për botimin e Ekzyperisë dhe përkthimi doli i censuruar. Për Princin e Vogël isha paguar që më shtatëdhjetën dhe më thanë ka humbur. Nuk bëra fjalë."


Kishte përkthyer ndërkohë "Prometeun e lidhur" të Eskilit i cili pa dritën e botimit në revistën "Nëntori" më 1989. Kjo është vepra e tij e rehabilitimit. E paguar me 7 lekë vargun.


"Po ku ka të paguar ai Promete. Unë u gëzova se me botimin e tij, u ça akulli"
John Gallsworthy me Forsajtët, Varlam Shallamovi, Çehovi, Tolstoi me "Lufta dhe paqja" (1979) janë disa nga autorët që kish përkthyer para nëntëdhjetës dhe disa kishin parë me kohë dritën e botimit.


Përkthyes nga disa gjuhë, rusishtja, anglishtja, italishtja, frëngjishtja, Çezar Kurti nuk ka përkthyer ndonjëherë me porosi. Në vitet e katedrës së rusishtes, kur u mor me lexime pak më intensive, u lidh më shumë me përkthimin letrar.


"Pashë se duhet ndërruar stili i përkthimit. Pashë se e meta e madhe ishte stilizimi, stilizimi në shumë pikëpamje, ndërrimi i kontekstit nga përkthyesi duke e zbukuruar.


Kurse përkthimi modern do saktësi shumë të madhe, pastaj do frymën, po munde të japësh frymën e shkrimtarit. Ty të duhet të konkurrosh patjetër me shkrimtarin në gjuhën tënde, të japësh tone po aq të forta, po aq tingëlluese, po aq të vërtetë sa në gjuhën tjetër.


Prandaj kur e mbaron përkthimin ke një gëzim të madh. E them këtë ngaqë unë kurrë s'kam hequr dorë nga dëshira se do të shkruaj një ditë vetë. Pastaj përkthimi të pasuron shumë."


Në emigrim, Çezar Kurti krijoi "Kurti Publishing" me të cilën botoi këto njëzet vjet, "Antoni dhe Kleopatra" 2004 "Zadigu" (1997) i Volterit, "Prometeu i lidhur" (1997) i Eskilit, "Ferri" (1996) i Dante Aligerit, "Kujtime nga shtëpia e të vdekurve" (1994) e Dostojevskit.


"Ferrin" e Dantes e kishte përkthyer më 1989, sepse kishte të bënte me gjendjen e tij.
Dostojevskin e kishte në plan, tamam "Kujtime nga shtëpia e të vdekurve", sepse i pëlqen ajo lloj letërsie që është edhe art i madh edhe dokument historik. Për të njëjtën arsye ka përkthyer Ekzyperinë.


Shallamovin po ashtu, në vitin 1991. Këta dy të fundit i ndjen më të afërtit. Për Shallamovin ka dhe një krahasim: "Ndërsa në burgjet e Shollzenicit shëtisin mace, qen lirisht dhe të burgosurit edhe i përkëdhelin, në burgjet e Shallamovit, as minj nuk ka se i hanë."


Libri i fundit zoti Kurti është diçka krejt tjetër, një libër didaktike: "Learn Albanian" që prej vitesh ka ndihmuar të huajt të mësojnë shqipen. Shitet në Amazon.


Depot e ujit


Çezar Kurti nuk mori pjesë në lëvizjet demokratike. Nga Italia ku iku menjëherë me një bursë përkthimi, kapërceu në Amerikë, ku jeton sot në Bronks, Nju Jork.
Thotë se gjënë më të mirë që ka bërë që iku nga Shqipëria; gjënë më të keqe që ka bërë, që iku nga Shqipëria.


"Isha i detyruar të ikja. Ishin krijuar ekipet në mënyrën më të hapët. Çdo gjë që është bërë në demokraci është bërë e komanduar. Unë nuk i fal ata që më kanë dënuar. Sepse askush nuk më dha të drejtën t'i dënoj për poshtërsitë që kanë bërë. Njeriu fal vetëm kur ka mundësinë të falë."


Këto histori Çezar Kurti i tregoi sepse ia kërkuam. Në vrapin e jetës ai përmend në një fjali se u dërgua me punë në minierë. Asgjë më shumë.


Edhe historitë me shqiptarë servilë i kishte harruar, deri kur ia kujtuan depot e ujit që ia kishin pushtuar murin e shtëpisë gjithë këto vite që familja e tij jetonte në emigrim.


Po ikën nga Shqipëria me përshtypjen se këtu nuk ka transparencë në asnjë fushë, as të pushtetit, as të shoqërisë. "Ti nuk e di më me çfarë është marrë njeriu që jeton pranë teje. Nuk di me çfarë parash janë ndërtuar këto godina të reja, por ata që i kanë ndërtuar kanë mësuar zanat.


Dyqanet, kafenetë janë kaq luksoze. Gjallëri e madhe duket, por mungesa e transparencës ka çuar në grabitjen e pronës publike. Prona publike është grabitur e tëra me sa di unë. Ne erdhëm me dëshirën të shohim mundësinë të rrimë më shumë këtu se sa atje. Por tani duhet ta rimendojmë."



Nessun commento:

Posta un commento